Ndërtesat janë hapësira të rëndësishme në jetën tonë. Ato janë hapësirat ku ne punojmë, mësojmë, jetojmë dhe pushojmë dhe në një mënyrë apo një tjetër ato ndikojnë edhe në shëndetin dhe mirëqenien tonë. Për të ulur nivelin e lartë të konsumimit të burimeve, ndërtesat po dizenjohen për të qenë sa më të qëndrueshme, ‘eco-friendly’ dhe ‘smart’. Zakonisht, të njohura si "ndërtesa të gjelbërta", këto struktura ndjekin modele të burimeve të efektshme të ndërtimit dhe përfshijnë karakteristika të tilla si materiale të qëndrueshme, burime të rinovueshme, sisteme çatish “të gjelbërta”, akustikë të përmirësuar, ambjente të brendshme të pastra e cilësore dhe hapësira biofilike. Sidoqoftë, ndërtesat e gjelbërta sjellin edhe përfitime të tjera sic mund të përmendim mirëqenien, kënaqësinë, angazhimin dhe produktivitetin e njerëzve. Karakteristikat e qëndrueshme çojnë në ndërtesa që janë më të qeta, më të pastra dhe më të gjelbërta. Ato ndikojnw pozitivisht jo vetëm për planetin por edhe për njerëzit gjithashtu.
Më poshtë mund të gjeni të listuara 15 përfitime se si “ndërtesat e gjelbërta” ndikojnë në rritjen e mirëqënies së njerëzve:
- Produktiviteti
Një studim i kryer nga UCLA arriti në përfundimin se punonjësit të cilët janë të punësuar në “ndërtesat e gjelbërt” janë 16% më produktivë.
- Shëndeti mendor
Studimet tregojnë se ndërtesat e dizenjuara për të maksimizuar ndriçimin natyral ditor dhe që optimizojnë dritën artificiale mund të reduktojnë depresionin në stinën e dimrit (e njohur ndryshe si çrregullim sezonal).
- Rezultatet e punës
Një studim nga Shkolla Shëndetësore e Harvardit tregoi se punonjësit që janë të punësuar në “ndërtesat e gjelbërta” kishin 44% rezultate më të mira në marrjen e vendimeve të cilat çojnë në arritjen e objektivave të kompanisë.
- Reagimi nën presion
Pjesëmarrësit në një studim të kryer nga COGfx performuan 131% më mirë në planifikimin dhe operimin strategjik nën presion në një ndërtesë me nivel të ulët të komponentëve organikë të paqëndrueshëm dhe nivel të lartë ventilimi.
Perceptimi i mirëqenies
Një sondazh i kryer nga Cundell tregoi se elementët natyralë brenda një ndërtese të gjelbërt bën që punonjësit të posedojnë një nivel 16% më të lartë në perceptimin e mirëqenies.
Kënaqësia në vendin e punës
Një raport i WGBC arriti në përfundimin se niveli i lumturisë së punonjësve ishte 23% më i lartë në një ndërtesë që kishte ndriçim të qëndrueshëm.
Tërheqja
Një studim i Cundall tregoi që cilësia e dyshemesë, ajo akustike dhe e ajrimit të brendshëm cojnë një një rritje prej 20% të tërheqjes dhe mbajtjes së stafit.
Perceptimi shëndetësor
Njerëzit të cilët punojnë në një ndërtesë të gjelbërt raportojnë 30% më pak simptoma të “sindromës së sëmundjes nga zyra”, gjendje e cila vjen si pasojë e problemeve me frymëmarrjen dhe dhimbjet e kokës.
Sensi i komunitetit
Pas një studimi të kryer duke shtuar ndriçimin LED dhe reduktimit të emetimit të karbonit, 90% e punonjësve u shprehën se kjo kishte një efekt pozitiv në kulturën e vendit të punës.
Krenaria për vendin e punës
Sipas një studimi, punonjësit e një kompanie u ndjenë 61% më të motivuar për të sjellë vizitorë në zyrat e tyre pasi kompania kishte përmirësuar cilësinë e ajrimit të brendshëm dhe kishtë shtuar zona të gjelbërta në hapësirat e jashtme.
Perceptimi i hapësirës
32% më shumë punonjës perceptuan më shumë hapësirë në ambjentet e tyre të punës pasi kompanitë përmirësuan akustikën, cilësinë e ajrimit dhe sistemin termik.
Atmosfera
Pacientët e një spitali fëmijësh ishin 56% më të kënaqur me atmosferën e krijuar në spital pas rinovimeve të kryera dhe vendosjes së pajisjeve dhe hapësirave të gjelbërta.
Vlerësimi i hapësirës
Një studim tregoi se njerëzit preferonin më shumë qëndrimin në ambjentet e brendshme nëse ndërtesa kishte të etiketuar një çertifikatë për hapësira të gjelbërta.
Përfundimi i detyrës
Një studim i kryer nga Universiteti SUNY tregoi se pjesëmarrësit në ndërtesat e gjelbërta të çertifikuara performuan 38% më mirë në ndërmarrjen e veprimeve për t’u fokusuar në një aktivitet të vetëm.
Stresi
Ndërtesat me çati të gjelbërta mund të përmirësojnë akustikën dhe të reduktojnë nivelin e zhurmës deri në 25 decibel, duke bërë të mundur ujen e stresit psikologjik i cili shkaktohet nga zhurmat e mjedisit.